LAJME

Gërvalla vizitoi Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan: Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë është shteti dhe aq më e fortë është shoqëria jonë

Gërvalla vizitoi Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan: Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë është shteti dhe aq më e fortë është shoqëria jonë
TV Prizreni
TV Prizreni
12 Mars 2026, 12:26

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, e shoqëruar nga zëvendësministri i Drejtësisë, Genc Nimoni, dhe drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, vizitoi Qendrën Korrektuese për Femra në Lipjan.

Siç bëhet e ditur në njoftimin e Ministrisë, gjatë kësaj vizite, ministrja Gërvalla zhvilloi takim me drejtorët e institucioneve korrektuese dhe drejtorët e departamenteve të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Korrektues të Kosovës, me të cilët diskutuan për punën, sfidat dhe prioritetet në sistemin korrektues.

Në njoftim thuhet se theks i veçantë iu kushtua gjendjes së sigurisë në institucionet korrektuese, parandalimit të kontrabandës, forcimit të masave të kontrollit dhe zbatimit të programeve resocializuese për të burgosurit.

“Sistemi korrektues duhet të jetë i fortë, i disiplinuar dhe i drejtë. Kjo kërkon udhëheqje të vendosur, zbatim të pakompromis të ligjit dhe përkushtim të plotë institucional për të garantuar sigurinë, rendin dhe integritetin e çdo institucioni korrektues në vend. Këto standarde nuk janë vetëm pritje institucionale, por përgjegjësi që do të ndiqen me seriozitet dhe vëmendje të vazhdueshme nga afër” – tha ministrja Gërvalla.

Sipas njoftimit, në kuadër të agjendës së vizitës, ministrja Gërvalla vizitoi edhe hapësirat e Qendrës Korrektuese për Femra, me ç‘rast bisedoi me të burgosurat dhe u njoh me ambientet e punës, përfshirë kabinetin e IT-së, rrobaqepësinë dhe bibliotekën. Po ashtu, ajo pa nga afër disa nga punimet e ekspozuara me filigran në argjend dhe punime filigran në letër të realizuara nga të burgosurat në kuadër të aktiviteteve rehabilituese.

“Sa më shumë të investojmë në resocializim, aq më mirë e përmbushim detyrimin që kemi si shtet. Sepse dënimi është heqja e lirisë, ndërsa suksesi i sistemit korrektues matet edhe me aftësinë e një personi për të ndërtuar një jetë normale pas përfundimit të dënimit. Sa më të zbrazëta burgjet, aq më i fortë është shteti dhe aq më e fortë është shoqëria jonë” – u shpreh ministrja Gërvalla.

Vizita u përmbyll me dorëzimin e kupës së finales në tenis, ndeshje e cila u zhvillua mes të burgosurave.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika