Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, u ka bërë thirrje partnerëve ndërkombëtarë ta dënojnë gjuhën agresive dhe armiqësore të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Në një status në Facebook të shtunën, Gërvalla e ka quajtur “skenë teatrale” konferencën e djeshme të Vuçiqit, në të cilën prezantoi pesë masa që shteti i tij do t’i ndërmarrë “pas tensioneve të fundit” në veri të Kosovës.
Ministrja e Jashtme ka thënë se Vuçiqi po i shfrytëzon serbët e Kosovës për politikë ditore dhe përfitime financiare.
“Tani, duke qenë plotësisht i ndërgjegjshëm që personat, të cilët me urdhër të tij janë përfshirë në vepra penale, krime dhe akte të dhunshme në Kosovë tashmë nuk mund të luajnë asnjë rol në jetën publike dhe institucionale të Kosovës, kërkon kthimin në gjendjen e mëparshme, pa treguar madje së paku arsyet e largimit dhe bojkotimit të institucioneve. Loja sistematike e Serbisë me serbët në Kosovë, presioni deri në ushtrim të hapur të dhunës përmes strukturave ilegale dhe grupeve kriminale, keqpërdorimi dhe vjedhja masive e fondeve, të cilat kinse ndahen për ta, pengimi i integrimit në shoqërinë dhe institucionet e Kosovës, serbëve në veri dhe familjeve të tyre ua ka vështirësuar jetën për vite të tëra”, ka shkruar Gërvalla.
Përmes themelimit të ashtuquajturës prokurori e posaçme, ministrja ka thënë se Vuçiqi po mundohet të rrit tensionet dhe të cenojë rendin kushtetues të Kosovës. Ajo e akuzoi presidentin serb se po tentojë të pengojë proceset integruese dhe normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi.
“Përmes themelimit të të ashtuquajturës prokurori e posaçme synohet ngritja e tensioneve, cenimi i sovranitetit juridik dhe kushtetues të Republikës së Kosovës, por mbi të gjitha shfrytëzimi i këtij mekanizmi për të ndjekur në mënyrë arbitrare sidomos qytetarët serb të Kosovës, të cilët nuk po i binden më pushtetit të Vuçiçit dhe klaneve të tij. Deklarata e tij për kinse shpalljen si të paligjshme të të gjitha organeve të institucioneve në Kosovë, është përpjekje e dëshpëruar për të sabotuar Pavarësinë e Kosovës. Synimi është pengimi i normalizimit të marrëdhënieve mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, mbajtja gjallë e tensioneve në rajon, pengimi i proceseve integruese, në sinkron të plotë edhe me interesat e Rusisë. Faktorëve ndërkombëtarë u bëjmë thirrje të dënojnë me gjuhë të qartë dhe qëndrime të vendosura qasjen, sjelljen dhe gjuhën agresive dhe armiqësore të Aleksandër Vuçiçit karshi Republikës së Kosovës”, ka shkruar tutje Gërvalla.