Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla në takimin e zhvilluar me gjyqtarë e prokurorë ka diskutuar çështje që prekin jo vetëm sistemin e drejtësisë, por vetë themelet e një shoqërie demokratike, mbrojtjen e viktimave të dhunës në familje dhe dhunës ndaj grave.
Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook, Gërvalla bëri të ditur se këto përpjekje janë pjesë edhe e procesit të hartimit të Strategjisë Kombëtare për Mbrojtje nga Dhuna në Familje, Dhuna ndaj Grave dhe Dhuna me Bazë Gjinore 2027–2031, e cila synon të avancojë më tej koordinimin ndërinstitucional, forcimin e shtyllës së ndjekjes penale dhe gjyqësore, si dhe zbatimin e plotë të standardeve të Konventës së Stambollit.
“Roli i gjyqtarëve dhe prokurorëve nuk kufizohet vetëm në zbatimin formal të ligjit, por kërkon profesionalizëm, paanshmëri, ndjeshmëri ndaj viktimës dhe një kuptim të plotë të dinamikës së dhunës në familje. Vendimet e marra në kohën e duhur mund të shpëtojnë jetë, të parandalojnë përsëritjen e dhunës dhe t’u rikthejnë viktimave besimin tek drejtësia”, ka shkruar ajo.
Siç tha Gërvalla “Asnjë reformë ligjore nuk mund të arrijë efektin e saj të plotë pa përkushtimin e institucioneve dhe profesionistëve që e zbatojnë ligjin çdo ditë. Përmes bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërinstitucional, synojmë një sistem drejtësie që jo vetëm ndëshkon dhunën, por edhe e parandalon atë; një sistem që dëgjon, mbron dhe garanton trajtim dinjitoz për çdo viktimë”.