Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schwarz ka folur edhe njëherë për Asociacionin në prag të Konferencës për Evropën.
Gërvalla thotë se propozimi i ri ka një qasje krejt tjetër nga propozimet e kaluara.
“Nuk e di për cilin Asociacion e keni fjalën. Ka një asociacion i vitit 2013, është bërë një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, të cilën Gjykata e vitit 2015 e ka shpallur si shkelje të më shumë se 22 neneve. Ne kemi një propozim të ri, një dokument të ri të Bashkimit Evropian. Dokumenti në vija të trasha ka një qasje krejt tjetër nga në të kaluarët por këto janë të gjitha gjërat që ne do t’i bisedojmë gjatë një procesi intensiv me Bashkimin Evropian dhe e gjitha kjo varet se a do të jetë ky propozim, ai i cili do të sjellë normalizimin përfundimtar me Serbinë apo jo. Nëse çfarëdo lloj dokumenti shërben vetëm për Kosovën dhe nuk shërben për normalizimin e marrëdhënieve me fqinjin tonë atëherë ne jemi shumë skeptik se sa i përshtatshëm është ai për t’u diskutuar”, ka thënë Gërvalla për DW.
Se si do të trajtohet çështja e Asociacionit në të ardhmen, ajo ka thënë se mbetet për t’u parë.
“Po të lexoni me kujdes deklaratën e kryeministrit pas takimit në Bruksel, atëherë do ta dini që kryeministri ka bërë një deklaratë të hapur dhe të sinqertë për nënshkrim të tri dokumenteve. Po atë ditë Serbia e ka refuzuar atë ofertë të kryeministrit tonë përmes Bashkimit Evropian, prandaj një gjë e tillë tani është shtyrë për në të ardhmen, dhe se si do të ndodhë në të ardhmen, dhe a do të ndodhë në të ardhmen, mbeten të gjitha pyetje të hapura”, ka shtuar ministrja.