Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla e ka pritur në një takim mirëseardhës ambasadorin e ri të Gjermanisë në Kosovë, Rainer Rudolph.
Ministria e Jashtme njoftoi se gjatë këtij takimi, ministrja e uroi ambasadorin për fillimin e mandatit duke theksuar angazhimin e Kosovës për thellimin e marrëdhënieve me Gjermaninë, si partnere strategjike dhe aleate kyçe të vendit tonë.
“Ministrja Gërvalla vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme dhe të pandërprerë që Gjermania i ka dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit, si dhe në rrugëtimin e vendit drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”- njofton Ministria.
Po ashtu, është bërë e ditur se gjatë takmit ministrja Gërvalla theksoi rëndësinë e rolit të mërgatës shqiptare në Gjermani, e cila sipas saj, shërben si një urë lidhëse shumë e fuqishme mes dy vendeve, duke kontribuar në mënyrë të konsiderueshme në fushat ekonomike, shoqërore dhe kulturore.
“Gjatë takimit me ambasadorin Rudolph, gjithashtu u diskutua edhe për zgjerimin e bashkëpunimit në sektorët kyç të ekonomisë, sigurisë, energjisë dhe inovacionit”- shkruan në komunikatë.