Ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka pritur në takim një delegacion amerikan të kryesuar nga Robert “Bobby” Kasprzak, Roy Miller dhe Theodore Robert Maloney, me të cilët ka diskutuar për sundimin e ligjit, reformat në drejtësi dhe rolin e institucioneve në zhvillimin ekonomik të Kosovës.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Drejtësisë, Gërvalla ka theksuar se forcimi i sistemit të drejtësisë dhe ndërtimi i besimit në institucione janë parakushte për një Kosovë më të fuqishme dhe më tërheqëse për investitorët.
Ajo ka vlerësuar se një sistem drejtësie efikas, profesional, i besueshëm dhe me integritet është një nga shtyllat kryesore të një shteti demokratik, duke kontribuar në rritjen e sigurisë juridike për qytetarët, bizneset dhe investitorët ndërkombëtarë.
“Reformat në drejtësi, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, si dhe fuqizimi i transparencës dhe llogaridhënies institucionale, mbeten angazhime të vazhdueshme të Republikës së Kosovës për të garantuar një sistem ku ligji zbatohet në mënyrë të drejtë dhe të barabartë”, është shprehur Gërvalla.
Gjatë takimit, ajo ka theksuar gjithashtu se Kosova ofron mundësi të rëndësishme për partneritete dhe investime afatgjata, duke përmendur fuqinë e re punëtore, orientimin euroatlantik dhe zhvillimin e sektorëve me potencial të lartë.
Në fund, ministrja në detyrë ka ritheksuar përkushtimin e institucioneve për forcimin e sundimit të ligjit dhe krijimin e një klime sa më të favorshme për investime, përmes reformave të vazhdueshme, bashkëpunimit ndërinstitucional dhe partneriteteve ndërkombëtare.





