LAJME

Gërvalla përmend reformat e MD-së në avancimin e shërbimeve familjare: Fuqizimi i familjes është përgjegjësi shtetërore

Gërvalla përmend reformat e MD-së në avancimin e shërbimeve familjare: Fuqizimi i familjes është përgjegjësi shtetërore
TV Prizreni
TV Prizreni
15 Maj 2026, 11:00

Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, ka marrë pjesë në tryezën për shënimin e Ditës Ndërkombëtare të Familjes, të organizuar nga Ministria për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare.

Me këtë rast Gërvalla ka theksuar se familja, si hapësira e parë ku ndërtohen siguria, solidariteti, edukimi dhe dinjiteti njerëzor, meriton vëmendje dhe mbështetje të vazhdueshme institucionale.

Sipas saj, fuqizimi i familjes është përgjegjësi shtetërore, dhe se kur familja është e mbrojtur, edhe shoqëria është më e fortë.

Ajo theksoi se mënyra se si një shoqëri kujdeset për familjen reflekton drejtpërdrejt mënyrën se si ajo e koncepton drejtësinë shoqërore, barazinë dhe të ardhmen e saj. Por, kur brenda familjes ekziston dhunë, frikë, mungesë e mirëqenies ekonomike apo mungesë e mbështetjes institucionale, tha ajo, pasojat reflektohen në gjithë shoqërinë, në mirëqenien e fëmijëve, në pozitën e grave dhe në stabilitetin e vetë shtetit.

“Angazhimi ynë institucional gjatë viteve të fundit ka qenë pikërisht në këtë drejtim, në ndërtimin e një sistemi më të fortë të mbrojtjes shoqërore dhe familjare, në avancimin e mekanizmave për mbrojtje nga dhuna në familje dhe dhuna me bazë gjinore, si dhe në garantimin e qasjes më të drejtë dhe më të barabartë në shërbime për qytetarët. E në këtë drejtim, gjatë viteve 2021–2025, Ministria e Drejtësisë, ka ndërmarrë reforma të rëndësishme në fuqizimin e shërbimeve shoqërore dhe familjare, duke e trajtuar mbrojtjen sociale dhe mbrojtjen nga dhuna si prioritet institucional dhe shtetëror” – theksoi Gërvalla.

Gërvalla theksoi se për herë të parë është dyfishuar mbështetja financiare për strehimoret dhe organizatat që ofrojnë shërbime sociale dhe familjare, duke kaluar nga 880 mijë euro në vitin 2020 në 2.5 milionë euro në vitin 2025. Sipas saj, ky nuk është vetëm investim financiar, është investim në sigurinë e grave, fëmijëve dhe familjeve që kanë nevojë për mbështetje dhe mbrojtje.

Tutje, ajo shtoi se mekanizmat mbështetës për fëmijët pa përkujdes prindëror janë fuqizuar, janë rritur mbështetjet financiare për familjet strehuese, janë licencuar mijëra profesionistë të shërbimeve sociale dhe familjare, janë miratuar ligje dhe akte nënligjore që krijojnë standarde më të larta të mbrojtjes sociale dhe është zgjeruar qasja në ndihmë juridike falas për kategoritë më të cenueshme të shoqërisë.

Sipas Gërvallës, dimension i veçantë i këtij angazhimi ka qenë luftimi i dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës mbi baza gjinore. Prandaj, ajo theksoi se kanë ndërtuar një qasje të re shtetërore, ku dhuna nuk trajtohet më si çështje private, por si çështje e sigurisë publike, e të drejtave themelore të njeriut dhe e drejtësisë shoqërore.

“Fuqizimi i familjes asnjëherë nuk mund të ndahet nga lufta kundër dhunës në familje dhe dhuna mbi bazë gjinore. Prandaj le të punojmë së bashku, institucionet, komunat, shkollat, prindërit dhe shoqëria, për të ndërtuar mekanizma të qëndrueshëm të monitorimit dhe evidentimit të hershëm të rrezikut, dhe mbi të gjitha për të ofruar mbështetje që forcon familjen, e mbron dinjitetin e saj dhe e udhëheq drejt stabilitetit dhe mirëqenies. Sa më të forta familjet, aq më e qëndrueshme shoqëria, sa më e ulët dhuna, aq më të mëdha mundësitë për zhvillim dhe barazi. Përpjekja dhe angazhimi ynë institucional është i pareshtur, e i përditshëm në këtë drejtim” – përfundoi Gërvalla.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika