Zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Drejtësisë në detyrë, Donika Gërvalla, zhvilloi një takim lamtumirës me shefin e Misionit të EULEX-it në Republikën e Kosovës, Giovanni Pietro Barbano, me të cilin thuhet se diskutoi rreth angazhimit të këtij misioni në Republikën e Kosovës, si dhe për bashkëpunimin në funksion të avancimit të proceseve në fushën e sundimit të ligjit.
Siç bëhet e ditur në njoftim, në këtë takim, ministrja Gërvalla foli edhe për reformat në drejtësi, për çka tha se mbeten “të domosdoshme dhe të pakthyeshme, të orientuara drejt rritjes së llogaridhënies, forcimit të integritetit dhe përmirësimit të efikasitetit në të gjitha hallkat e sistemit”.
Në vijim të diskutimit, thuhet se u trajtua edhe rëndësia e mekanizmave konkretë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me theks të veçantë në funksionalizimin e Byrosë Shtetërore.
“Në këtë kuadër, funksionalizimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme, që po ashtu u diskutua në takim, përbën një ndër shtyllat më të rëndësishme të reformës në drejtësi dhe të luftës kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe nuk ka rrugë tjetër përveç jetësimit të Byrosë. Byroja do të bëhet. Byroja do të jetësohet. Nuk ka rrugë tjetër”, deklaroi ministrja Gërvalla.
Gjithashtu, sipas njoftimit, ministrja Gërvalla foli edhe për bashkëpunimin dhe shkëmbimin e përvojave dhe përfitimet profesionale të zyrtarëve, në veçanti në fushën e sundimit të ligjit. Po ashtu, thuhet se u diskutua edhe për bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë për të siguruar që këto procese të përkthehen në rezultate të qëndrueshme dhe të matshme.
“Sundimi i ligjit kërkon zbatim të njëtrajtshëm dhe të paanshëm, si dhe vendimmarrje të qëndrueshme në çdo rast e situatë. Konsolidimi institucional dhe forcimi i profesionalizmit mbeten thelbësore për një sistem drejtësie funksional dhe të besueshëm”, tha ministrja Gërvalla.