Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës, Donika Gërvalla, po qëndron sot për vizitë zyrtare në Luksemburg, ku pati takime edhe me zyrtarë shtetëror.
Një të tillë Gërvalla e pati me ministrin për Bashkëpunim për Zhvillim dhe Çështje Humanitare, Franz Fayot, ku shprehu mirënjohjen e shtetit të Kosovës për mbështetjen e vazhdueshme dhe miqësinë e mirë mes të dy vendeve.
Posaçërisht ka veçuar bashkëpunimin mes Luksemburgut dhe Kosovës në sektorin e shëndetësisë, në arsim si dhe në procesin e integrimit në BE.
“Një ndër prioritetet e qeverisë është përmirësimi i dukshëm i kushteve për investime të huaja me synimin për ta bërë Kosovën më atraktive për këto investime. Kosova mund të përfitojë shumë nga shkëmbimi me një partner në BE si Luksemburgu, i cili është ekonomikisht i fuqishëm dhe me përvojë të madhe ndërkombëtare”, ka thënë Gërvalla.
Së bashku me ministrin Fayot kanë diskutuar për mundësi të bashkëpunimit mes të dyja vendeve në fusha që lidhen me sistemin financiar, digjitalizimin dhe çështje të tjera.
Dy ministrat u dakorduan që së shpejti të organizohet takimi i radhës së Komisionit të Partneritetit për të vlerësuar nevojat, format e bashkëpunimit dhe diversifikimin e mundshëm të partneritetit mes të dy vendeve.