Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Donika Gërvalla ka njoftuar se Kosova dhe Franca kanë nënshkruar dy marrëveshje të rëndësishme për forcimin e bashkëpunimit juridik ndërmjet dy vendeve.
Bëhet fjalë për Marrëveshjen për Ndihmë të Ndërsjellë Juridike në Çështjet Penale dhe Marrëveshjen për Ekstradim, të cilat synojnë të avancojnë bashkëpunimin mes institucioneve të Kosovës dhe Francës në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe kriminalitetit ndërkufitar.
Sipas Gërvallës, këto marrëveshje krijojnë mekanizma më efikasë për shkëmbimin e provave dhe informacionit, si dhe për ndjekjen dhe ekstradimin e personave të kërkuar nga drejtësia.





