Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla, ka thënë se në takimin që mori pjesë me ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian në Bruksel të hënën, e ku pjesëmarrës ishin edhe ministrat e jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor, ka shprehur qartë qëndrimin e Kosovës sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë.
Gërvalla ka thënë se Kosova i sheh marrëveshjet e lidhura këtë vit në Bruksel dhe në Ohër si ligjërisht të detyrueshme.
“Natyrisht se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë ishte një prej temave që sfidon rajonin tonë. Paraqita qëndrimin e Kosovës që ne marrëveshjen e lidhur në Bruksel e fazën e implementimit në Ohër, e shohim si marrëveshje ligjërisht të detyrueshme dhe presim nga Serbia t’i zbatojë, edhepse sinjalet janë jo të mira nga ajo, pasi keni qenë dëshmitarë vetë të deklarimeve të Aleksandar Vuçiqit e Ivica Daçiqit që vazhdimisht refuzojnë zbatimin, e shpesh edhe mohojnë ekzistencën e një marrëveshje të tillë”, ka thënë Gërvalla.





