Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diaporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se me ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, janë takuar me ambasadorët e QUINT-it dhe përfaqësuesin e Bashkimit Europian në Kosovë në lidhje me atë se çka ka ndodhur sot në kufi me Serbinë.
Sot, më 17.04.2024, në vendkalimin kufitar Kroaci-Serbi, në Batrovci, autobusë të operatorëve të ndryshëm të Republikës së Kosovës, të cilët duhej të kalonin tranzit nëpër Serbi, u është ndaluar hyrja dhe dalja nga autoritetet kufitare të Serbisë.
Gërvalla tha se në këtë takim përveç se i kanë njoftuar ambasadorët për atë se çka ka ndodhur, kanë kërkuar edhe një reagim të qartë dhe të prerë në lidhje me këtë çështje.
“Me ministrin e Punëve të Brendshme kemi takuar ambasadorët e QUINT-it edhe përfaqësuesin e BE-së në Kosovë. I kemi informuar me aq sa kishim detaje rreth asaj se çka ndodhte në kufi të Serbisë edhe i kemi kërkuar një reagim të qartë dhe të prerë jo vetëm për të parandaluar akte të ngjashme në të ardhmen, por edhe për të demonstruar unitet mes faktorit demokratik ndaj qasjes së Serbisë që e ka treguar sot në mënyrën më të vrazhdtë dhe më të hapur”- tha Gërvalla.
“Jo vetëm që është shkelur marrëveshja e vitit 2023, por sot është shkelur edhe marrëveshja për mobilitetin e cila u ka garantuar qytetarëve që mund të kalojnë me pak rreziqe në Serbi, prandaj duhet të mbetemi të kujdesshëm dhe të përgatitur në ditët që vijojnë”- shtoi ajo.
Gërvalla tha se ky veprim i Serbisë bazohet në zhvillimet e ditës paraprake, kur më 16.04.2024 në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës delegatët kanë miratuar raport-opinionin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, në të cilin rekomandohet që Kosova të ftohet për anëtarësim në KE.
“Unë jam e mendimit që një veprim i tillë e ka një arsye që po ashtu bazohet në ditën e djeshme, jemi dëshmitarë të deklaratave kërcënuese të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka kërcënuar jo vetëm Kosovën por edhe partnerët dhe mbështetësit tanë që vota pozitive në Këshill do të ketë pasoja. Për shkak se dje nuk iu eci as presioni dhe propaganda në atë seancë, Vuçiq ka filluar t’i jetësojë kërcënimet e tij në këtë kontekst e shoh ndalimin e sotëm të udhëtarëve”- tha ajo.
“Nga biseda direkte që kemi pasur me udhëtarët dhe familjarët por edhe me përfaqësuesin e Kosovës në Serbi që ka qenë në vendin e ngjarjes e dimë që janë shkelur masivisht të drejtat e njeriut”- theksoi Gërvalla.