Kosova vazhdon të mbetet vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor i papërfshirë në projektet që zgjerojnë ndikimin energjetik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në rajon.
Në prag të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat mbahen më 7 qershor në Kosovë, çështja e furnizimit të mundshëm me gaz të lëngshëm natyror (LNG) nga SHBA-ja ka marrë vëmendje të shtuar.
Vëzhguesit e zhvillimeve në Kosovë konsiderojnë se vendi është vonuar në këtë drejtim, dhe se furnizimi eventual me gazin e lëngshëm amerikan i krijon vendit siguri energjetike, e cila e përforcon edhe sigurinë kombëtare.
Sipas tyre, për t’u bërë pjesë e zinxhirit të furnizimit me LNG nga SHBA-ja, kërkohet vullnet politik në Kosovë.
Përderisa Lëvizja Vetëvendosje (LVV) në pushtet e vë më shumë theksin tek interesimi për “gazifikimin e qymyrit vendor”, partitë e deritashme opozitare i thonë qartazi “po” gazit të lëngshëm amerikan.
Në vitin 2021, Qeveria e Kosovës, e udhëhequr nga LVV-ja, refuzoi një projekt të mbështetur nga SHBA-ja, përmes Korporatës të Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), për t’u lidhur me rrjetin rajonal të gazit natyror, përmes Maqedonisë së Veriut.
Asokohe, autoritetet qeveritare arsyetuan se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë” për tranzicionin energjetik të vendit.
Në periudhën e viteve 2018-2019, Qeveria e Kosovës, e drejtuar nga Ramush Haradinaj, nxiti projektin e ndërtimit të një gazsjellësi Shkup–Prishtinë, që do ta lidhte Kosovën me rrjetin rajonal të gazit. Megjithatë, ai nuk u realizua.
Në shkurt të 2026-tës, në Samitin Trans-Atlantik për Sigurinë e Gazit, ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, tani në detyrë, kishte shprehur gatishmërinë e vendit për t’u furnizuar me gaz të lëngshëm natyror nga SHBA-ja.
Por, Rizvanolli, nga radhët e LVV-së – parti e cila ka qeverisur vendin në pesë vjetët e fundit – nuk iu përgjigj pyetjes së Radios Evropa e Lirë se a ka partia e saj zotim konkret për ta bërë Kosovën pjesë të zinxhirit të furnizimit me LNG nga SHBA-ja.
Kryeministri në detyrë, njëherësh udhëheqës i LVV-së, Albin Kurti, tha në një intervistë për televizionin lokal Kanal10 se Qeveria është e “interesuar për gazifikimin e qymyrit tonë që është në sipërfaqe”.
Gazifikimi i qymyrit nënkupton procesin industrial ku qymyri shndërrohet në gaz të djegshëm, të quajtur gaz sintetik, i cili më pas mund të përdoret për prodhimin e energjisë elektrike.
“Këtë [gazifikimin e qymyrit] mund ta bëjmë me një kompani amerikane, për shembull”, u shpreh Kurti.
“E, në anën tjetër, jemi të interesuar që të bashkinvestojmë me Shqipërinë në terminalin në Vlorë”, theksoi Kurti, ndërsa nuk saktësoi se cili do të ishte përfitimi i Kosovës nga një bashkinvestim i tillë dhe nëse Kosova do ta marrë gazin e lëngshëm amerikan.
Në maj të këtij viti, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, deklaroi se ka nënshkruar një marrëveshje strategjike bashkëpunimi për zhvillimin e Qendrës energjetike të Vlorës, dhe për furnizimin e Shqipërisë me gaz të lëngshëm natyror, në partneritet të ngushtë me SHBA-në./REL/