Gazetari serb, Radomir Dimiq ka kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti që t’iu sigurojë kushte serbëve që kanë jetuar në Kosovë që të kthehen në vendlindje, pasi konsideron se Serbia i është bërë strehimore e zorit dhe se nuk mund të jetojë në regjim diktatorial të Aleksandër Vuçiqit.
Dimiq mes tjerash, në kërkesën drejtuar kryeministrit Kurti, të cilën e ka parë RTK, ka thënë se Kosova është atdheu i tij.
“I nderuar kryetari i Qeverisë së Republikës së Kosovës, në harmoni me thirrjen tuaj publike për kthimin e serbëve të Kosovës, ju drejtohem personalisht që të më mundësoni dhe të më siguroni kushte ekzistenciale në vendlindjen time, pas 20 e më shumë viteve ekzil në Serbi e cila në saje të rrethanave të krijuara më është bërë strehimore e zorit”, ka nisur ai thirrjen e tij.





