Gazetari suedez me origjinë kosovare, Diamant Salihu, është nominuar për çmimin “Wallenberg 2023”.
Ky çmim do të ndahet më 27 gusht të këtij viti nga Akademia Raoul Wallenberg. Raoul Wallenberg, ishte arkitekt, diplomat dhe humanisti suedez i cili shpëtoi mijëra hebrenj në Hungari gjatë Holokaustit dhe fazave të mëvonshme të Luftës së Dytë Botërore.
Çmimi “Wallenberg” jepet për “individët, organizatat dhe komunitetet, guximi, vetëmohimi dhe suksesi i të cilëve kundër vështirësive të mëdha, personifikojnë vlerat për të cilat u shqua dhe luftoi Raoul Wallenberg.
Kjo nuk është hera e parë që Salihu nominohet për çmime të mëdha, bile një prej tyre ai e fitoi në vitin 2021, duke u bërë pjesë e gazetarëve që bëhen “Zëri i Vitit” në Suedi, që i bie të jetë njëri prej çmimeve më të njohura dhe më prestigjioze që mund t’i fitojë një gazetar në shtetin skandinav.
Klankosova.tv e pati intervistuar Salihun lidhur me sukseset tij dhe prejardhjen që e ka nga Batusha e Gjakovës.
“Jam shumë i lumtur dhe i nderuar për këtë çmim i cili është “Voice of the Year” apo “Zëri i Vitit”. Është njëri nga çmimet më të famshme dhe më prestigjioze që mund t’i fitojë një gazetar në Suedi. Kjo ashtu nënkupton se të gjithë njerëzit që unë i kam takuar dhe që kanë folur me mua e kanë ngritur zërin me mua nëpërmjet librit tim “Tills alla dor” dhe në storjet e mia si gazetar në SVT. Ky çmim prezanton të gjithë njerëzit që kanë folur me mua”, kishte thënë Salihu në një intervistë./KlanKosova/