Gazetari nga Kosova, Halil Berisha, është paraqitur si dëshmitar në seancën e sotme gjyqësore në Gjykatën Speciale kundër krerëve të Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati e Nasim Haradinaj.
Berisha, përpara se ta niste dëshminë, theksoi se është detyruar të paraqitet atje në cilësinë e dëshmitarit dhe paraprakisht tha se nuk është i lumtur që gjendet sot atje.
“Unë veç desha të them që nuk jam shumë i lumtur që sot jam këtu për të dëshmuar para juve. Kjo assesi nuk do ta pengojë faktin që unë do ta them vetëm të vërtetën”, tha Berisha.
“Megjithatë, unë këtu jam sepse më keni obligu. Por përndryshe, nuk jam shumë i lumtur që gjendem këtu”, shtoi ai.
Fillimisht, gazetari ka nisur të merret në pyetje nga Zyra e Prokurorit të Specializuar lidhur me konferencat për shtyp që i mbanin Gucati e Haradinaj.