Gazetari i KALLXO.com, Kreshnik Gashi, ka fituar çmimin e parë të Bashkimit Europian (BE) për gazetari hulumtuese për vitin 2023 për Kosovë.Ky çmim u nda sot në Prishtinë në një ceremoni të organizuar nga Bashkimi Europian.Kurse, Dafina Halili nga “Kosovo 2.0” ka fituar çmimin e dytë, e Saranda Ramaj nga “Koha Ditore” ka fituar çmimin e tretë.
Çmimi iu nda gazetarit Kreshnik Gashi për një seri hulumtimesh të publikuara në emisionin “Kallxo Përnime”, me titull: “Blerja e Kryeprokurorit”.
KALLXO.com në nëntor të vitit 2022 ka publikuar një hulumtim dyvjeçar që ka zbardhur një aferë në të cilën dyshohet se u dhanë 150 mijë euro për të ndikuar në kryerjen e disa lëndëve në gjykatat e Kosovës.
Incizimet pasqyrojnë përfshirjen e ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërguti, në një aferë korruptive.
Të gjitha incizimet janë bërë në vende publike dhe përbëjnë çështje të interesit të lartë publik.
Për dy ditë radhazi janë shfaqur pjesë të hulumtimit të një rasti të dyshuar të korrupsionit, në të cilin pretendohet se u përfshinë njerëz të sistemit të drejtësisë, të politikës dhe biznesmenë.
Biznesmeni Sali Dakaj ka pretenduar se përmes dy personave ia ka dhënë 150 mijë euro ish-kryeprokurorit të Apelit, Haxhi Dërgutit, për të ndikuar që një lëndë gjyqësore për një borxh në vlerë 3.5 milionë euro të kthehet në favor të tij.
Për emisionin “Kallxo Përnime”, Dakaj ka rrëfyer se si dy persona, biznesmeni Hasan Morina dhe zyrtari i Vetëvendosjes (tashmë i pezulluar nga anëtarësia e partisë), Liridon Fandaj, e kishin takuar dhe i kishin thënë se e kanë njeriun e tyre që mund ta kthejë lëndën në favorin e tij porse për këtë duhej t’i jepeshin 150 mijë euro.
Dakaj ka treguar se u kishte besuar dhe kishte marrë paratë borxh për t’ia dhënë Haxhi Dërgutit, atëherë kryeprokuror i Apelit.
Meqë lënda nuk kishte përfunduar në favor të tij, Dakaj kishte filluar të kërkonte paratë që i kishte dhënë.
Për këtë ai kishte takuar Hasan Morinën dhe Liridon Fandajn, e mandej edhe vetë ish-kryeprokurorin Dërguti.
Ky i fundit, sipas një video-incizimi, e këshillon Dakajn që t’i rrijë gati lëndës në gjyq, të gjejë njerëz e të japë para, përndryshe lënda nuk kryhet në favor të tij.
“Rriji gati këtij procesi, gjej njerëz, jep pare, se përndryshe kjo punë ndryshe nuk kryhet” – kishte porositur Haxhi Dërguti biznesmenin Sali Dakaj.
Disa ditë pas publikimit të hulumtimit të KALLXO.com, Dërguti është intervistuar nga Policia.
Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, ka premtuar se Prokuroria do të veprojë pas hulumtimit të emisionit “Kallxo Përnime”, i cili zbardhi një afërë të madhe korrupsioni në sistemin e drejtësisë në Kosovë.
Prokuroria Speciale ka paralajmëruar se do të marrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore në përputhje me kompetencat ligjore dhe kushtetuese të saj, për të gjithë personat e përfshirë në këtë rast.