Që nga e hëna kanë hyrë në fuqi masat e reja anti-Covid të miratuara nga Qeveria e Kosovës.
Me hyrjen në fuqi të kufizimit të lëvizjes nga ora 22:00 deri në 05: 00 edhe gastronomia obligohet të ndërpres punën në 21:30, raporton Front Online.
Por kufizimin e orarit të punës po e kundërshtojnë nga Shoqata e Gastronomëve të Kosovës.
Nënkryetari i Gastronomëve, Veton Zuka për Front Online ka kërkuar kompensim nga Ministria e Financave.
“Këto janë automatikisht të kundërshtuara përderisa nuk ka përgjigje prej ministrit të Financave në kuptimin ekonomik dhe financiarë të bizneseve. Ne gjithë kohën kemi për të kërkuar kompensimin financiarë përmes modaliteteve dhe kërkesave që i kemi”, ka thënë ai për Front Online.
Zuka ka thënë se janë të vetëdijshëm për situatën me pandeminë por që kanë shumë humbje dhe Qeveria duhet të i kompensoj humbjet e tyre.
“Fokusi ynë është në kompensim financiarë pasi e dimë si është gjendja në spitale dhe tek qytetarët, e kuptojmë situatën shëndetësorë. Mirëpo nuk po e kumtojmë mosndihmesën financiare ndaj bizneseve, jemi 3 orë minus në punë, punojmë me gjysmën e kapaciteteve brenda nuk mundemi me punu, ka shumë humbje për bizneset”, ka thënë ai.
Gastronomët nëse nuk marrin përgjigje nga ministri i Financave, Hekuran Murati, paralajmërojnë rebelim dhe kundërshti ndaj vendimeve të Qeverisë.
“As që e ka diskutuar Qeveria kompensimin e bizneseve, nëse nuk përgjigjet ministri i Financave me ndihmë bizneseve atëherë kemi me vendos për hapat e tjerë që mund të jenë edhe më të rebeluar. Modalitetet e kundërshtimit tash varet si i vendosim, ne duhet të takohemi që të e vendosim se çka është mirë dhe çka mundemi të bëjmë, por gjithmonë duke e ruajtur shëndetin e popullit”, ka thënë Zuka nga Shoqata e Gastronomëve.
Zuka më tutje u shpreh se i mirëkuptojnë të gjitha masat, por që ata këmbëngulin në kompensim financiarë për çfarëdo mbyllje të vendit.
“Varet se si zhvillohet situate epidemiologjike me Covid-19, edhe nëse mbyllet është shumë normale përderisa kemi rritje të numrave të infektimeve dhe vdekjeve që është shqetësuese por çdo mbyllje duhet të ketë kompensimin financiarë”, u shpreh Zuka. /Front Online/