Rreth 8 mijë biznese të gastronomisë janë mbyllur të mërkurën dhe kanë nisur të punojnë vetëm me shërbimin “merr me vete”, bazuar në vendimin e ri të Qeverisë Kurti si pjesë të masave anti-COVID. Hysen Sogojeva, kryetar i Odës Hoteliere Turistike të Kosovës, ka paralajmëruar se nëse pas datës 18 prill nuk lejohet veprimtaria e tyre, reagimet do të vijnë përmes protestave.
Ai është ankuar se askush nuk është konsultuar me këtë sektor para se të vendoset për masat e reja.
“Të gjitha hotelet dhe restorantet për momentin sot asnjë nuk funksionojnë, pra kjo veprimtari është e mbyllur dhe gjithmonë janë respektuar vendimet të cilat janë ndërmarrë. Ndërsa, pas 18 prillit, me vendimin që e kemi marrë dje nga Kryesia nuk do të ketë as dialog lidhur me këtë. Prandaj kemi shkuar me masa duke filluar prej reagimeve me protesta, si dhe demonstrata dhe forma të tjera. Numri total nëse llogarisim si veprimtari turistike janë mbi 9 mijë dhe nëse i llogarisim edhe ato që kanë pasur humbje, sot përafërsisht 7-8 mijë janë të mbyllura”, ka thënë ai për KP.





