Sekretari i Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, Arian Vranica ka deklaruar se mirëpresin lehtësimin e masave anti-COVID nga Qeveria, ku atyre iu mundësohet shfrytëzimi i kapaciteteve të plota brenda hapësirave të gastronomisë.
Vendimi për lehtësimin e masave nga Qeveria është marrë pasi është shënuar rënie e dukshme e rasteve me COVID-19. Ndërkohë, për gastronomët ky hap po vlerësohet pozitiv për këto biznese.
Vranica ka theksuar se me ardhjen e diasporës, do të këtë një rritje të konsumit në sektorë të ndryshme, jo vetëm në ato të gastronomisë.
“Këto lehtësime janë bërë për shkak të pozitivitetit, ku rastet kanë rënë jashtëzakonisht shumë, për mos të thënë fare. Edhe rastet spitalore janë jashtëzakonisht të vogla që do të thotë se nuk ka pasur arsyeje që të këtë kufizime të tilla në 50 për qind të kapacitetit brenda hapësirave të gastronomisë por tashmë është më 100 për qind të kapacitetit, gjë e cila është për t’u përshëndetur, pasi praktikisht në pjesën e dytë të vitit do të thotë shumë për neve dhe ekonominë tonë, sepse jemi bazuar si ekonomi në shërbime dhe jo në prodhim dhe tregti siç janë vendet e zhvilluara, prandaj për neve kjo është një lloj infuzionimi dhe me ardhjen e diasporës do të këtë edhe një rritje të konsumit që do të ndikojë në sektorë të ndryshëm, për shembull prodhimit, tregtisë e të gjitha më radhë, edhe furnitorë do të këtë më shumë qarkullim si pasojë e zgjerimit të aktivitetit në gastronomi”, theksoi ai.
Vranica shtoi së bashku me Ministrinë e Shëndetësisë pritet të përpilojnë udhëzuesin në pajtueshmëri me vendimin aktual.
“Pritet edhe nga Ministria e Shëndetësisë së bashku me mua si pjesë e komisionit brenda Instituti Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, lidhur me hoteleri dhe gastronomi që të përpilojmë udhëzuesit e përkohshëm në pajtueshmëri me vendimin aktual që synimi të bëhet në kapacitet të plotë”, tha Vranica.
Sipas tij, edhe klubet e natës janë duke funksionuar me kapacitet 100 për qind të hapësirës, siç ka qenë para pandemisë.
“Praktikisht kjo ndahet në dy sezone, është në bazë të rregulloreve komunale pasi e gjithë veprimtaria është kthyer siç ka qenë para pandemisë, edhe para pandemisë është e ndarë në dy sezone, prej 1 prillit ka filluar sezone, ndryshon funksionimi jo vetëm të klubet e natës por edhe në lokalet e gastronomisë që mund të funksionoin deri në ora 24:00, klubet e natës deri në ora tre, ato të cilat i plotësojnë kriteret, të cilat nuk janë brenda zonave urbane, pra në zona industriale apo zonave me rurale, ata mund të bëjnë leje të veçantë në kuadër të drejtorisë së shërbimeve publike dhe të zgjerojnë orën deri në pesë të mëngjesit”, ka thënë ai. /KSP