Sipas raportit, Forcat e Armatosura të Kosovës dhe Policia e Kosovës janë institucionet më të besueshme nga 1134 amvisëri sa janë përfshirë në një anketë të Qendrës Kosovare për Studime të Sigurisë, të publikuar të mërkurën.
Pyetësori i anketës “Perceptimet publike për besimin, korrupsionin dhe integritetin e institucioneve publike në Kosovë” për vitin 2022 përbëhej kryesisht nga pyetje të mbyllura në formë të shkallës Likert me pesë pikë, të pasuara nga disa pyetje të hapura pa opsione të paracaktuara. Numri i anketave të bëra në secilën njësi administrative është marrë duke u bazuar në regjistrimet e popullsisë të shtetit apo në të dhënat e Komisionit të Zgjedhjeve.
63.8 për qind e të anketuarve besojnë plotësisht në FSK-në. 18.8 për qind i besojnë, ndërsa 8.1 për qind kanë thënë se i besojnë deri diku. Vetëm 5.6 për qind nuk kanë besim fare në Ushtrinë e Kosovës.
Ndërkohë, 49.1 për qind e njerëzve kanë thënë se i besojnë plotësisht Policisë. 22.9 për qind kanë thënë se vetëm i besojnë, ndërsa 16.9 për qind kanë besim deri diku. 4.6 për qind e të anketuarve nuk kanë besim në Policinë.
Pas tyre vjen Presidenca, me 35.8 për qind e të anketuarve që i besojnë plotësisht. 23.2 për qind vetëm i besojmë, ndërsa 14.7 për qind deri diku. 17.7 për qind s’kanë fare besim te presidentja Vjosa Osmani.
16.1 për qind e të anketuarve besojnë plotësisht në Qeverinë e udhëhequr nga Albin Kurti. 17.6 për qind vetëm besojnë, ndërsa 19.4 për qind deri diku. 31.2 për qind nuk kanë besim fare te Qeveria Kurti.
9.1 për qind i besojnë plotësisht Kuvendit të Kosovës. 16.1 për qind i besojnë, ndërsa 27.2 për qind deri diku. 30.3 për qind s’kanë besim te Kuvendi.
12.5 për qind e të anketuarve i besojnë Prokurorisë. 17.3 për qind i besojnë, 29.5 për qind deri diku dhe 20.1 për qind s’kanë besim fare.
13 për qind e të anketuarve i besojnë Gjykatës. 16.5 për qind i besojnë, 31.3 për qind deri diku dhe 19.5 për qind s’kanë besim fare.
Marzhi i gabimit është 3 për qind, ndërsa intervali i besueshmërisë 95 për qind.