Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, dhe ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, kanë prezantuar, siç i quajnë ata, dy projekte madhore me të cilat synohet rritja e kapaciteteve trajnuese të Forcës së Sigurisë së Kosovës për arsye strategjike, në Babaj të Bokës të Gjakovës dhe në Aeroportin e Gjakovës.
Mehaj ka thënë se Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të Ministrisë së Mbrojtjes, ndërsa në Babaj të Bokës do të shndërrohet një zonë operacionale për FSK-në ku do të ndërtohen poligone taktike.
“Aeroporti i Gjakovës po funksionalizohet për qëllime të mbrojtjes. Në Babaj të Bokës do të shndërrohet në zonë operacionale të FSK-së ku do të ndërtohen poligone taktike sipas standardeve të NATO-s. Poligonet taktike në Babaj të Bokës do të jenë moderne që do ndërtohen sipas standardeve të ushtrisë amerikane dhe të NATO-s. Këto poligone do jenë në funksion jo vetëm për ushtrinë tonë por edhe të gjithë partnerët tanë strategjikë. Kurse në aeroport planifikohet ndërtimi i objekteve të ndryshme me qëllime operacionale për ushtrinë e Kosovës”, ka thënë Mehaj në konferencë për shtyp të enjten.





