LAJME

Fruthi në rritje në Kosovë, shumëfishohen rastet krahasuar me vitet e kaluara

Fruthi në rritje në Kosovë, shumëfishohen rastet krahasuar me vitet e kaluara
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Gusht 2026, 11:04

Situata epidemiologjike me fruth në Kosovë gjatë muajve të fundit është më e rëndë se vitet e kaluara.

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka njoftuar se vetëm gjatë javës së fundit janë regjistruar 13 raste të reja me fruth.

Sipas njoftimit, derisa më 10.07.2026 ishin raportuar 62 raste, një muaj më vonë, deri më 10.08.2026, janë regjistruar edhe 50 raste të reja, duke e çuar numrin në gjithsej 112 raste.

“Numri më i madh i rasteve është raportuar në Prishtinë me 37 raste, pasuar nga Fushë-Kosova me 29 raste, Ferizaj me 12 raste, Kaçaniku me 7 raste dhe Obiliq me 6 raste. Nga 3 raste janë raportuar në Drenas dhe Lipjan, ndërsa nga dy raste në Gjilan, Skenderaj, Shtime, Shtërpcë dhe Vushtrri. Nga një rast është raportuar në Deçan, Graçanicë, Podujevë dhe Viti”- ka njoftuar IKSHPK të hënën.

Rritja e rasteve të fruthit këtë vit paraqitet më shqetësuese krahasuar me vitet e kaluara. Në gusht të vitit 2025 kishe vetëm 65 raste të konfirmuara. Ndërsa në periudhën 2021–2024 ishin regjistruar vetëm tri raste të importuara.

Sipas të dhënave të IKSHPK-së, mbulimi i vaksinimit me MMR në Kosovë ka rënë në 82% në vitin 2025, që është dukshëm nën pragun e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) për parandalimin e shpërthimeve të sëmundjes.

“Për të parandaluar fruthin rekomandohet mbulueshmëria mbi 95%.”- thuhet nga IKSHPK.

Ndërkohë, në vitin 2024, përqindja e fëmijëve të vaksinuar me MMR ishte 89%.

Vaksina MMR është vaksinë e kombinuar që mbron nga fruthi, shytat dhe rubeola dhe aplikohet për herë të parë kur fëmijët mbushin një vit.

Në kuadër të masave për parandalimin e përhapjes së fruthit dhe mbrojtjen e shëndetit publik, institucionet u bëjnë thirrje prindërve dhe jo vetëm, që të kontorllojnë statusin e vaksinimit të fëmijëve të tyre dhe të sigurojnë vaksinimin sipas Kalendarit të rregullt të imunizimit në qendrat e mjekësisë familjare.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika