Drejtoria e Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” në Prizren, duke vlerësuar rëndësinë e informimit të drejtë, të saktë dhe profesional të opinionit publik, u është drejtuar mediave, portaleve dhe platformave informative me kërkesën që gjatë raportimit për ngjarje të ndryshme të bëhet identifikimi i qartë i institucionit ku ka ndodhur ngjarja dhe, kur është e mundur, të përdoren materiale fotografike apo filmike që i përkasin lokacionit përkatës.
Sipas këtij institucioni shëndetësor, kjo kërkesë vjen pas disa rasteve kur, gjatë raportimit për ngjarje të ndodhura në Qendrat e Mjekësisë Familjare (QMF) në Komunën e Prizrenit, janë përdorur pamje nga ambientet e Spitalit të Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa”. Sipas tyre, një praktikë e tillë krijon paqartësi dhe perceptime të pasakta te publiku lidhur me institucionin ku ka ndodhur ngjarja dhe përgjegjësinë institucionale.
Në këtë kontekst, është theksuar se Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” dhe Qendrat e Mjekësisë Familjare në Komunën e Prizrenit janë institucione të ndryshme shëndetësore, me funksione dhe struktura të ndryshme të menaxhimit.
“Spitali i Përgjithshëm ‘Prim. Dr. Daut Mustafa’ në Prizren është pjesë e SHSKUK-së dhe funksionon në kuadër të sistemit shëndetësor të Republikës së Kosovës dhe nën përgjegjësinë e Ministrisë së Shëndetësisë, ndërsa Qendrat e Mjekësisë Familjare janë nën menaxhimin e Komunës së Prizrenit. Andaj, kërkojmë që në raportimet e ardhshme të bëhet dallimi i qartë ndërmjet këtyre institucioneve dhe të përdoren, sa herë që është e mundur, pamje autentike që korrespondojnë me vendin ku ka ndodhur ngjarja. Një qasje e tillë kontribuon në shmangien e keqinformimit dhe në ruajtjen e besimit të publikut ndaj institucioneve shëndetësore.” – thuhet në reagim.
Tutje, në reagim thuhet se kjo kërkesë nuk synon kufizimin e lirisë së medias, pavarësisë editoriale apo të drejtës për informim dhe raportim. Përkundrazi, thuhet se e konsiderojnë atë si një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve shëndetësore dhe mediave, në interes të informimit sa më të saktë, objektiv dhe të besueshëm të qytetarëve.
Spitali i Përgjithshëm “Prim. Dr. Daut Mustafa” thekson se mbetet i hapur për bashkëpunim dhe komunikim me mediat, me qëllim që informacioni për institucionin dhe veprimtarinë e tij të jetë i qartë, i saktë dhe profesional.
Në fund, drejtuesit e spitalit kanë falënderuar të gjitha mediat për bashkëpunimin, profesionalizmin dhe mirëkuptimin.