LAJME

Kusari-Lila: S’ka alternativë tjetër pos dialogut politik

Kusari-Lila: S’ka alternativë tjetër pos dialogut politik
TV Prizreni
TV Prizreni
11 Gusht 2026, 11:11

Ministrja në detyrë e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, Mimoza Kusari-Lila, ka deklaruar se moskonstituimi i Kuvendit të Kosovës po shkakton shqetësim te qytetarët, mërgimtarët dhe komuniteti i biznesit, raporton Ekonomia Online.

Kusari-Lila tha se situata aktuale paraqet shqetësim të madh edhe për sigurinë e investimeve në Kosovë.

“Moskonstituimi i Kuvendit është brengë për mërgimtarët, është brengë për qytetarët e Republikës, është brengë shumë e madhe për bizneset për sigurinë e investimeve në Kosovë”, deklaroi ajo.

Sipas saj, në situatën aktuale nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut politik dhe arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet subjekteve politike.

Ajo u bëri thirrje drejtuesve politikë dhe partiakë që të ulen në tryezën e dialogut dhe të dakordohen për një plan konkret institucional.

“Megjithatë, nuk ka alternativë tjetër pos dialogut politik, arritjes së marrëveshjes politike dhe pranimit të drejtuesve politikë e partiakë të Republikës së Kosovës se veç të ulen, të dakordohen dhe të kemi një orar e afat edhe të konstituimit të Kuvendit, të votimit të Qeverisë dhe të zgjedhjes së presidentit”, tha Kusari-Lila.

“Sinçerisht ju them të drejtën, është një keqardhje që komunikimi i drejtuesve politikë, në veçanti të opozitës së deritanishme, po bëhet përmes mediave e jo përmes pranimit të pjesëmarrjes e prezencës në takim.

Unë e kuptoj rëndësinë e deklaratave politike, kuptoj rëndësinë e komunikimit me elektoratin e secilit, se fatmirësisht jemi në demokraci. Secili ka votuesit e përkrahësit e orientimeve të veta politike, por interesi i shtetit është një. Kosova ka nevojë për Kuvend të konstituar, për Qeveri të votuar, për President ose Presidente që është në zyrë me mandat të plotë.

Dhe kjo situatë nuk i shkon për shtati askujt, por gjithashtu edhe prej kësaj situate nuk mund të dilet e të ketë zgjidhje pa dialog politik. Është me të vërtetë e pakuptimtë mosspajtimi ose mospranimi i ftesës për të qenë në takim me kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, kryeministrin në detyrë, zotin Albin Kurti.

Nuk ka arsyetim. Nuk mundet asnjë argument i cili, qoftë me vendimin mos me qenë në qeveri ose me qenë në opozitë, apo me vendimin se nuk po ka besim të ndërsjellë. Gjysma e elektoratit të qytetarëve me të drejtë vote ia kanë dhënë besimin grupit të Lëvizjes Vetëvendosje bashkë me partnerët e vet. Prandaj, edhe si e tillë, nuk mundet kërkush të mendojë për një formim të institucioneve, konstituim të organeve drejtuese të shtetit, pa Lëvizjen Vetëvendosje.

Prandaj, edhe mospranimi në diskutim të mëtutjeshëm, qoftë i Partisë Demokratike apo i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, nuk ka arsyetueshmëri.

Përfaqësuesve tanë të dashur e të çmuar të diasporës që janë sot këtu, ju thejmë se po bëjmë përpjekje maksimalisht që sa më parë t’i kemi institucionet e formuara. Unë shumë do të doja që sot të ishim në legjislaturën e 11-të funksionale, me Kryetar Kuvendi, me Kryesi të Kuvendit e gjithashtu edhe me Qeveri e me President”, ka deklaruar Kusari-Lila.

Ajo ka thënë se mospranimi i takimeve për konstituimin e institucioneve paraqet më shumë shkelje të besimit demokratik sesa çështje të formës së realizimit të tyre.

“Më shumë është shkelje e besimit demokratik mos-takimi për konstituim të institucioneve, sesa i përket vetëm formës për ta realizuar një formë. Dhe për t’u ofruar, sepse për të parë atë çfarë pamë në seancën e fundit, nuk e besoj që ka vlerë të shtohet. Për deri sa nuk ka një takim i cili e konfirmon se ka dakordim për të ecur përpara, nuk e kuptoj poentën e këtyre qëndrimeve.

Megjithatë prapë, ashtu siç e ka thënë edhe ushtruesja e detyrës së Presidentes, për ata që nuk pajtohen është Gjykata Kushtetuese, se fatmirësisht ka edhe kuorum edhe mundësi të vendimmarrjes. Por prapë po thejmë, edhe një herë po e ritheksoj se ky komunikim nuk do të duhej të ndodhte përmes mediave, por që apeloj që të takohen e natyrisht edhe të dakordohen për agjendën përpara të shtetit të Kosovës, jo vetëm të partive politike”, ka thënë Kusari-Lila./EO

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika