Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda, ka mbajtur një konferencë për shtyp para dy ndeshjeve që Kosova do t’i luajë në kuadër të Ligës së Kombeve.
‘Dardanët’ do të përballen fillimisht me Rumaninë më datë 15 nëntor në udhëtim, teksa tri ditë më vonë (18 nëntor) do të pres në ‘Fadil Vokrri’ kombëtaren e Lituanisë.
Pasi konfirmoi lëndimet e disa lojtarëve kyç të Kosovës dhe mungesën e tyre për këto dy ndeshje, Foda foli edhe për ndeshjen e parë ndaj Rumanisë.
Tekniku gjerman tha se Kosova nuk kishte shumë fat në takimin ndaj rumunëve, por që pret që kësaj radhe ekipi i tij të luajë një lojë më ofanzive, njësoj si në ndeshjet si vendas.
“Duke marrë parasysh se kemi disa lëndime do të bëjmë disa ndryshime dhe dëshirojmë që të luajmë në mënyrë ofanzive”.
“Ndeshjen e fundit ndaj Rumanisë nuk kishim fat, por nesër do të koncentrohemi që të stërvitemi me intensitet të lartë”.
“Ne do të luajmë si në shtëpi ashtu edhe në udhëtim, pra do të bëjmë lojë ofanzive”, ka thënë Foda.
Ndeshja me Rumaninë e cila zhvillohet më datë 15 nëntor, do të nis me fillim nga ora 20:45./Telegrafi/