Këshilli Prokurorial i Kosovës ka hyrë në fazën finale të procesit për zgjedhjen e kryeprokurorit të ri. Deri tani, kryeprokurori i Prokurorisë Speciale Blerim Isufaj është në epërsi për ta pasuar Aleksandër Lumezin në udhëheqjen e instancës më të lartë të ndjekjes në vend. Nga KPK nuk kanë treguar se kur do të mund të zgjidhet kryeprokurori, emri i të cilit do t’i dërgohet Presidentes për emërim. Mandati shtatëvjeçar i Lumezit përfundon në prill. Ligji për KPK-në e parasheh deri diku rrugën e zgjedhjes së Kryeprokurorit.
Pesë kandidatët në garë për pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit, të premten u intervistuan nga paneli vlerësues, ndërsa me numrin më të madh të pikëve (98) u vlerësua Blerim Isufaj, ish-kryesues i KPK-së. I dyti u rendit prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë, Shqipdon Fazliu me 92 pikë. Kujtim Munishi, kryeprokuror i Prokurorisë Themelore në Prishtinë u rendit pas tij me 84.2 pikë. I katërti doli kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Armend Hamiti me 80.6 pikë dhe në fund Lulzim Sylejmani, prokurori i Krimeve të Rënda në Prokurorinë Themelore në Prishtinë me 74.2 pikë.
Paneli vlerësues përbëhej nga Jetish Maloku, kryesues i KPK-së dhe i këtij paneli, si dhe anëtarëve të KPK-së, prokurorët Arjana Shajkovci, Bedrije Syla-Alshiqi, Armend Zenelaj dhe Jovo Radoviq.





