Komisioni Qendror i Zgjedhjeve(KQZ) ka filluar publikimin e formularëve të rezultateve të subjekteve politike dhe kandidatëve për zgjedhjet të parakohshme 14 shkurtit.Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi, tha se kjo po bëhet me qëllim të rritjes së transparencës dhe besueshmërisë në procesin zgjedhor.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka filluar me publikimin e kopjeve të skanuara të formularëve të rezultateve për subjektet politike dhe kandidatët për zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat u mbajtën të dielën.
Të gjithë të interesuarit do të mund të shohin rezultatet e subjekteve politike dhe kandidatëve për secilin vendvotim duke shfletuar kopjet e këtyre formularëve të cilët janë plotësuar në vendvotime nga Anëtarët e Këshillave të Vendvotimit, të dielën në mbrëmje pas numërimit të fletëvotimeve“, tha ai.
Sa i përket fillimit të numërimit të votave me postë, Elezi tha se ende nuk dihet kur do të fillojë pasi që së pari duhet të bëhet skanimi i listës së votuesve.“Ndonjë datë nuk kemi për faktin se po shohim për sa kohë do të na duhet që të bëjmë të gjitha këto procedura që janë këtu në QNR, por do të jemi këtu bashkë për t’iu njoftuar me ecurinë e procesit këtu në QNR“, tha ai.