Qeveria e Kosovës nga sot do të përballet me greva të sindikatave në vend.
Një gjë e tillë, po ndodhë për shkak që ekzekutivi nuk ka përfillur kërkesat e tyre për rritjen e pagave për të gjithë të punësuarit nga 100 euro deri në miratimin e Ligjit të pagave, shkruan Front Online.
Por, se a i janë bashkuar të gjithë grevës, për Front Online ka folur kryetari i këshillit grevist të Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës (BSPK), Rrahman Jasharaj.
“Ende nuk kam informata të sakta se a janë hyrë të gjithë në grevë, pasi këto do ti japim më vonë. E, vizituam një çerdhe dhe greva ishte dinjitoze”, ka thënë ai, për Front Online.
Jasharaj, ka treguar se mëdyshje për t’iu bashkuar grevës kanë pasur nga sindikata e Shëndetësisë.
Dhe, për këtë thotë se e kanë pasur një arsye.
“Sindikata e Shëndetësisë ka pasur disa mëdyshje dhe kanë kërkuar kohë për përgatitje, por të gjitha federatat që janë edhe Policia edhe zjarrfikësit edhe pse një pjesë e tyre nuk kanë të drejtë ligjore për grevë e mbështesin grevën sepse kërkesat që i ka një federatë i kanë të gjitha federatat. Pra, edhe Policinë e kemi në mbështetje por ata nuk kanë të drejtë për grevë, për shëndetësinë do të shohim si do të rrjedhin ngjarjet sepse ata kanë thënë se iu duhet përgatitje. Për shërbyesit civil kemi informacione se po dhe pikërisht sot do të bindemi duke vizituar institucionet se a janë edhe ata në grevë”, është shprehur ai.
Sipas tij, greva do të zgjasë deri në realizim të kërkesave.
“Vendimi i BSPK-së, është që greva do të zgjasë deri sa Qeveria t’i realizojë kërkesat tona”, ka deklaruar, Jasharaj.
I, pyetur se a po paralizohet shteti, Jasharaj është shprehur se Qeveria është dashur ta dijë këtë, pasi që kanë qenë të paralajmëruar.
“Shtetit i kemi dhënë hapësirë dhe jemi lutur vazhdimisht me shkresa e përmes mediave që të ulemi të bisedojmë dhe deri më tani nuk kanë bërë asgjë, shtetit është dashur ta kuptojë situatën dhe duhet ta ketë parasysh paralizimin e shtetit dhe të ulet me ne qoftë edhe ditëve të fundjavës dhe të bisedojnë”, ka thënë kryetari Jasharaj.
Kurse, për Qeverinë ka pohuar se mund t’i zgjedhin kërkesat e tyre, por janë duke i injoruar.
“Shteti ka mundësi për t’i zgjedhur kërkesat tona por është duke i injoruar çuditërisht dhe unë besoj shumë se këtyre ditëve edhe Qeveria Kurti do të ulet me sindikata dhe të bëjë zgjidhje dhe pastaj çdo gjë do të kthehet në rrjedhë normale”, ka thënë ndër të tjera Jasharaj.
Më 18 gusht BSPK-ja në një konferencë të jashtëzakonshme ka njoftuar se nga sot do të hyjnë në grevë të përgjithshme./Front Online