LAJME

FFK: Na vjen keq, nuk ka më asnjë biletë në dispozicion

FFK: Na vjen keq, nuk ka më asnjë biletë në dispozicion
TV Prizreni
TV Prizreni
27 Mars 2026, 13:20

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) përmes një reagimi ka njoftuar se janë shitur të gjitha biletat për ndeshjen finale mes Kosovës dhe Turqisë që do të luhet të martë, më 31.03.2026 në Prishtinë.

Duke falënderuar të gjithë ata që tashmë kanë blerë bileta, FFK njoftoi se në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës do të organizojë aktivitete të veçanta në kryeqytet, ku qytetarët do të kenë mundësinë ta ndjekin finalen Kosovë – Turqi përmes ekraneve gjigante, pasi interesi për këtë ndeshje ka tejkaluar kapacitetin e stadiumit “Fadil Vokrri”.

FFK ka shprehur mirënjohje për përkrahjen e vazhdueshme të tifozëve, si në Kosovë ashtu edhe në diasporë, duke veçuar numrin e madh të qytetarëve që udhëtuan drejt Sllovakisë për ta mbështetur Kombëtaren.

Në njoftim thuhet se qëllimi i organizimit të shikimit publik në Prishtinë është krijimi i një atmosfere gjithëpërfshirëse, ku secili tifoz të ndjejë emocionin dhe krenarinë e përkrahjes ndaj Kombëtares së Kosovës.

Federata ka falënderuar gjithashtu tifozët që siguruan biletat për këtë ndeshje edhe në një fazë kur ende nuk ishte e konfirmuar nëse do të ishte finale apo miqësore, duke e cilësuar këtë si dëshmi të besimit dhe dashurisë ndaj ekipit dardan.

Në të njëjtën kohë, FFK ka shprehur keqardhje që nuk mund t’i përgjigjet interesimit të jashtëzakonshëm për prezencë në stadium, duke theksuar se nuk ka më asnjë biletë në dispozicion.

Sipas Federatës, një pjesë e biletave janë të rezervuara për tifozët, mysafirë, në përputhje me obligimet ndërkombëtare, si dhe për partnerët, ndërsa numri i tyre ka qenë i kufizuar.

FFK ka bërë të ditur se është e obliguar të zbatojë rregulloret e UEFA-s dhe FIFA-s, të cilat nuk lejojnë tejkalimin e kapacitetit të regjistruar zyrtarisht të stadiumit, duke theksuar se nuk ekziston asnjë mundësi për shtim të numrit të biletave.

Në fund, Federata ka ftuar qytetarët që ta mbështesin Kombëtaren nga sheshet e Prishtinës, por edhe nga shtëpitë e tyre, me shpresën që kjo ndeshje historike të përfundojë me sukses dhe festa e futbollit të shtrihet në çdo cep të vendit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika