Federata e Futbollit e Kosovës ka dënuar zhvillimin e garave ilegale të futbollit të Serbisë brenda territorit të Kosovës. Në një reagim për media, FFK-ja i ka cilësuar këto zhvillime “shqetësuese dhe të papranueshme”. Kjo federatë ka thënë se do të ankohet në UEFA për këto gara.
“Raportimet e fundit në media për zhvillimin e ndeshjeve garuese nga struktura ilegale të Serbisë brenda territorit të Kosovës, ndonëse në nivele amatore, janë shqetësuese dhe të papranueshme. FFK-ja edhe më herët i ka diskutuar këto dukuri brenda Këshillit për Sport dhe ka kërkuar ndërmarrjen e masave të menjëhershme. Aktivitetet e tilla e cenojnë autoritetin e FFK-së dhe sovranitetin e Kosovës në përgjithësi. FFK kërkon nga të gjithë faktorët relevant të shtetit, Këshilli për Sport dhe organet e rendit, që të ndërmarrin hetime urgjente dhe t’i ndalojnë aktivitetet e tilla ilegale dhe është e gatshme të ndihmojë me ekspertizë dhe mbështetje përmes mekanizmave të UEFA-s dhe FIFA-s”, thuhet në reagim të FFK-së.





