Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Arben Fetai, ka konfirmuar se autostrada që do të lidhë Maqedoninë me Kosovën do të realizohet gjatë këtij mandati qeverisës.
Në Debat Plus, Fetai tha se po punohet intensivisht për alokimin e fondeve dhe për gjetjen e zgjidhjeve më të shpejta dhe efektive për nisjen e këtij projekti madhor.
“Do të hapet kufiri me Kosovën, njerëzit do të kalojnë për dy minuta çdo pikë kufitare, njëjtë do të lehtësohet edhe qarkullimi i mallrave. Autostrada për Kosovë do të bëhet, po alokohen fondet dhe jemi duke kërkuar zgjidhjen më të shpejtë dhe efektive”, tha Fetai.
Ai shtoi se investimet e mëdha nuk do të ndalen vetëm tek autostrada, por përfshijnë edhe rrugën për në Prizren nga Tetova, si dhe realizimin e Kampusit Universitar “Nënë Tereza” në Shkup, ku janë miratuar pagesat e para në vlerë prej 34.5 milionë eurosh, një investim historik për universitetin shqiptar në Maqedoni.
Fetai kritikoi edhe BDI-në, duke theksuar se 22 vitet e tyre në pushtet kanë qenë të mbushura me premtime të pambajtura për projekte të tilla.
“Do të bëhet shumë shpejt, me siguri që do të kryhen këto projekte brenda këtij mandati, patjetër që brenda mandatit. Do të bëhet edh erruag për Prizren për nga Tetova, do investohen dhe kemi filluar, miratuam pjesën e parë të pagesave për të realizuar Kampusin Universitar Nënë Terezë në Shkup 34.5 milionë euro investohen në një Universitet kryesisht shqiptarë, kurrë s’ka ndodhë kësi lloj investimi në kohën e BDI-së”, deklaroi Fetai./Indeksonline/