“BallkanFest- Kosovë” i teti me radhë, u mbajt më 14 tetor në Kino Lumbardhi në Prizren.
Festivali tuboi pjesëmarrës nga të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës, dhe mbi 250 interpretues nga shoqëritë kulturore dhe artistike nga vendet fqinje – Republika e Shqipërisë (Ansambli “Mirëdita”), nga Kroacia, Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Bullgaria dhe si mysafirë specialë ishin nga Lugina e Preshevës SH.K.A “Zëri i Luginës” – Bujanoc.
“Qëllimi i këtij festivali unik është promovimi dhe ruajtja e këngëve tradicionale, folklorit, valleve, diversitetit kulturor dhe trashëgimisë kulturore. Ballkan Fest bashkon të gjitha komunitetet e Republikës së Kosovës në një vend së bashku me shumicën e shteteve Ballkanike, ku krijon harmoni multienike dhe tolerancë ndëretnike ndërmjet të gjitha komuniteteve dhe dërgon një porosi paqeje si në Kosovë ashtu edhe në mbarë Ballkanin”, tha drejtori i festivalit, “BallkanFest –2023”.

