Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) sot bëri të ditur se pingpongistët kosovarë s’kanë mundur të marrin pjesë në Kampionatin Evropian të Pingpongut U-21,që po mbahet në Beograd të Serbisë, meqë ky shtet ia pamundësoi.
Për këtë ka folur ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, në një konferencë për media, i cili paralajmëroi se Serbinë do ta ndjekin penalisht.
“Kemi përsëri sjellje destruktive nga shteti i Serbisë. Kjo është shkelje e rëndë e të drejtave të sportistëve tanë dhe shkelje e të gjitha konventave ndërkombëtare të sportit. Serbia vazhdon me destruktivitet dhe për këtë jemi duke i njoftuar të gjitha instancat relevante europiane. Organizatat tona sportive do të procedojnë me veprime ligjore në institucionet përkatëse ndërkombëtare. Deri në këtë moment Federata e Pingpongut të Kosovës ka dorëzuar padi në Komisionin Disiplinor të Federatës Europiane të Pingpongut. Ky është hapi i parë, por jemi në koordinim edhe me federatën përkatëse edhe me Komitetin Olimpik të Kosovës që beteja jonë ligjore me Serbinë të vazhdojë edhe në instancat tjera ndërkombëtare”.





