Ish Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, ka përkujtuar në 15 vjetorin e vdekjes ish Presidentin historik, Ibrahim Rugova.
“Në 15 vjetorin e ikjes në amshim të Ibrahim Rugovës kujtojmë kapërcimet e tij si prijës, dhe kapërcimet kolektive të popullit që ishte gjithmonë krah tij. Rrugëtimi i vështirë individual i Ibrahim Rugovës në rrafshin personal dhe atë politik, është sinonimi i rrugëtimit të shoqërisë sonë”, është shprehur Sejdiu.
“Të gjitha proceset politike në vend për të cilat punoi pareshtur, liri, pavarësi, demokraci mbajnë përjetësisht identifikimin me të, mbajnë identitetin e Ibrahim Rugovës. Sot e përmot, pesha individuale e Rugovës, përballë proceseve nacionale jeton dhe do të jetojë bashkë me kombin tonë. Ajo ruhet me frymën e durimit, të cilën ai e praktikoi përherë. Sot e përmot do të mbetet përveç si frymëzim, edhe model sjelljeje e veprimi në rrafshin njerëzor, krejtësisht njerëzor, por edhe në atë politik”.





