Lideri i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, takimet mobilizuese për zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit, me bashkëluftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe mbështetësit e tij, i ka vazhduar në Korishë të Prizrenit.
“Projekti ynë për mbrojtjen dhe ruajtjen e vlerave kombëtare është duke marrë mbështetje tejet të madhe në Prizren dhe anekënd vendit”, ka shkruar Limaj në faqen e tij zyrtare në Facebook.
Kreu i Nismës Socialdemokrate, po ashtu, ka thënë se, bashkëluftëtarëve, familjarëve të dëshmorëve, invalidëve të luftës dhe të rinjve tanë në Korishë të Prizrenit dhe gjithë vendin, u është tejet mirënjohës e falënderues për angazhimin e madh që kanë bërë për Nismën ndër vite dhe për gatishmërinë e tanishme për tu rreshtuar në rrugën e duhur krah projektit për mbrojtjen e vlerave kombëtare.