Në varrezat e fshatit Broboniq të Mitrovicës, pasditen e sotme është varrosur 93 vjeçarja Ajshe Veseli.
Në ceremoninë e varrimit nuk ka marrë pjesë djali i saj Kadri Veseli i cili është duke u mbajtur në Qendrën e Paraburgimit në Hagë.
Familjarët thonë se nuk janë të informuar nëse Kadri Veseli është lajmëruar për vdekjen e nënës së tij.
Djali i axhës së tij, Hysniu, tha se Kadri Veseli po mbahet padrejtësisht në Hagë derisa ka falënderuar të gjithë qytetarët që kanë qenë të pranishëm në ceremoninë e varrimit.
“Natyrisht se ju e dini që Kadri Veseli është në paraburgim dhe paraburgimi nënkupton kufizim të lirisë, kështu që nuk kemi shumë informacione në këtë çështje. I falënderoj të gjithë qytetarët që kanë qenë të pranishëm për nderimin që i kanë bërë nënës Ajshe. Ajo ka qenë një gjeneratë e Luftës së Dytë Botërore, ne gradualisht po e humbim edhe këtë gjeneratë. Për neve ka qenë një krenari. Sigurisht që nënat tona nuk kanë qenë as nëna të kamerave, as të universiteteve, por kanë qenë nëna që kanë kultivuar shumë dashuri, përkujdes të fëmijëve dhe atdhedashuri”, ka thënë ai, shkruan KP.