Në një akt të rrallë fisnikërie dhe burrërie, familja e të ndjerit Gentjan Flurim Shala, 17-vjeçar nga fshati Atmaxhë, ka falur gjakun e djalit të tyre, i cili humbi jetën tragjikisht në një aksident komunikacioni më 31 maj të këtij viti.
Ceremonia e faljes së gjakut u mbajt në shtëpinë e familjes Shala në Atmaxhë, ku u mblodhën familjarë, miq dhe dashamirë nga të dy palët. Akti i pajtimit u arrit falë ndërmjetësimit të pajtimtarit të njohur Fetah Bekolli dhe bashkëpunëtorit të tij Xhevat Kryeziu, me mbështetjen e Imamit të fshatit, Qendrim Gashi.
I pranishëm në ceremoni ishte edhe vetë drejtuesi i automjetit që shkaktoi aksidentin, me kërkesë të familjes së Gentjanit të ndjerë, si dhe familjarët e tij – Hamit Krasniqi me djemtë Kushtrimin dhe Gëzimin, nga fshati Sushicë e komunës së Graçanicës.





