Pas përfundimit të muajit të madhërishëm të Ramazanit, besimtarët e fesë islame kremtojnë sot festën e Fitër-Bajramit
Manifestimi qendror për Fitër Bajramin, për Republikën e Kosovës, është mbajtur në Xhaminë e Madhe në Prishtinë dhe është falur në ora 06:41.
Myftiu Naim Tërnava ka folur pas faljes së Fitër Bajramit. Ai e ka nisur fjalimin e tij për familjen e shëndoshë duke u lutur që mes veti të ketë harmoni, shëndet dhe paqe.
Tërnava ka folur rreth numrit të madh të vrasjeve dhe vetëvrasjeve që po ndodhin.
“Ne si BIK jemi të shqetësuar për numrin e vetëvrasjeve dhe vrasjeve, të dhënat e policisë janë shqetësuese. Këto akte do të jenë fatale për ardhmërinë tonë”, tha ai.
Tërnava gjithashtu ka bërë thirrje që të gjithë qytetarët të mos e neglizhojnë regjistrimin e popullsisë.
Myftiu është lutur për popullin e Kosovës, Ushtrinë e Kosovës dhe Policinë e Kosovës.
RTK ka transmetuar drejtëpërdrejt faljen e Fitër Bajramit.
Me rastin e festës së Fitër Bajramit, Kryesia e BIK-ut, si tradicionalisht organizon pritje urimi në selinë e Kryesisë.
Ndryshe dje Myftiu i Kosovës Naim ef. Tërnava ka thënë se Fitër Bajrami bart brenda vetes një tufë virtytesh dhe avantazhesh. Sipas tij, urtësia e festës së Fitër Bajramit është gëzimi dhe hareja, të cilat trokasin thellë në shpirtrat e besimtarëve.
“Fitër Bajrami bart brenda vetes një tufë virtytesh dhe avantazhesh, që e dallojnë nga festat e tjera, bart vlerat shoqërore dhe njerëzore të Islamit, ku zemrat bashkohen në miqësi, prandaj, gëzimi i Bajramit përfshinë çdo shtëpi të besimtarëve. Bajrami është një ditë që edhe fëmijët i mbush me gëzim, buzëqeshje e argëtim, një ditë për të afërmit që i bashkon ata në drejtësi dhe lidhje, ditë e vizitave dhe përqafimeve të shumta, ditë e lutjeve dhe shpresës, ditë ku bamirësi liron dorën për bamirësi, ditë kur duhen pastruar shpirtrat dhe duhen shtrënguar duart, duke shtuar dhe promovuar vëllazërinë, besnikërinë dhe dashurinë edhe më të fortë”, tha ai.
Festa e Fitër Bajramit pason muajin e Ramazanit, gjatë të cilit, sipas besimit Islam, besimtarët agjërojnë për 30 ditë, në shenjë sakrifice dhe përkushtimi ndaj Zoti./RTK/