Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka përsëritur premtimin se Evropa do t’i ndihmojë Ballkanit Perëndimor me vaksinimin anti-COVID. Nëpërmjet bisedave telefonike me liderët e Ballkanit, ajo ka njoftuar se 650 mijë doza të vaksinës së “Pfizerit” do të dorëzohen në gjysmën e dytë të muajit prill në shtetet e Ballkanit.
Nëpërmjet Twitterit ajo ka konfirmuar bisedat telefonike me liderët e Bosnjës, Shqipërisë dhe të Malit të Zi. Në të tria postimet ka njoftuar se “Evropa do të qëndrojë pranë partnerëve në Ballkanin Perëndimor”.
“Diskutova me Edi Ramën për shpërndarjen e vaksinave në Shqipëri, financuar nga Komisioni Evropian, për të vaksinuar sa më shpejt punonjësit e kujdesit shëndetësor dhe njerëzit në nevojë. Së bashku do ta kapërcejmë pandeminë”, ka thënë ajo për bisedën me kryeministrin e Shqipërisë.





