Evropa është sërish epiqendra e pandemisë së shkaktuar nga Covid-19 dhe duhet të ndryshojë taktikat për të luftuar coronavirusin, paralajmëron Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).
“Ne jemi përsëri epiqendra. Shkalla aktuale e infeksionit në 53 vende të rajonit evropian (që në klasifikimin e OBSH përfshin edhe vendet e Azisë Qendrore) është shumë shqetësuese. Sipas një projeksioni të besueshëm, nëse qëndrojmë në këtë trajektore, mund të ketë gjysmë milioni njerëz të tjerë të vdekur nga Covid-19 në Evropë dhe Azinë Qendrore deri më 1 shkurt”, kishte paralajmëruar drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge në një video-konferencë të enjten.
Kluge e mbështeti pretendimin e tij se Evropa ishte edhe një herë epiqendra e pandemisë me faktin se në Evropë kemi kumulativisht më shumë njerëz të infektuar me Covid-19 – 78 milionë, përcjell Telegrafi.
“Ne duhet të ndryshojmë taktikat – në vend që t’i përgjigjemi rritjes së rasteve, ne duhet të parandalojmë atë”, ka thënë tutje Kluge, duke paralajmëruar se “aty ku përdorimi i vaksinës është i ulët, në shumë vende baltike, Evropën Qendrore dhe Lindore dhe në Ballkan, normat e pranimit në spitale janë të larta”.
Por cila është situata me COVID-19 në Ballkan?
Sllovenia
Sllovenia, përkundër regjimit të rreptë, ka një shpërthim real të rasteve të reja në javët e fundit.
Aktualisht është e dyta në Evropë, menjëherë pas Estonisë dhe me tendencë për ta kaluar atë, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Sipas Index.hr, në këtë vend spitalet gjithashtu po mbushen gjithnjë e më shumë me pacientë me Covid-19, si dhe njësitë e kujdesit intensiv.
Situata në spitale, sipas epidemiologëve, tregon se qeveria sllovene duhet të “tërheqë frenën e dorës” menjëherë në formën e një bllokimi dhe të rishpall epideminë, sepse në të kundërtën do të ketë “kolaps të sistemit shëndetësor”.