LAJME

Euronews promovon “Bunar Fest”-in në Prizren si një nga atraksionet më të veçanta kulturore në Kosovë

Euronews promovon “Bunar Fest”-in në Prizren si një nga atraksionet më të veçanta kulturore në Kosovë
TV Prizreni
TV Prizreni
29 Maj 2026, 12:24

Mediumi ndërkombëtar “Euronews” i ka kushtuar një artikull të veçantë qytetit të Prizrenit, duke e cilësuar atë si kryeqytetin kulturor të Kosovës dhe duke rekomanduar vizitorët se si t’i kalojnë 24 orë në këtë qytet historik.

Në artikull thuhet se, ndonëse Kosova mbetet ndër vendet më pak të vizituara në Evropë, ajo nuk mungon me atraksione kulturore dhe historike. Gazetari i “Euronews Travel” ka zgjedhur Prizrenin për vizitën e tij, duke e përshkruar qytetin si destinacionin ideal për të përjetuar historinë, kulturën dhe atmosferën autentike të Kosovës.

Mes vendeve që rekomandohen për t’u vizituar janë Ura e Gurit, Sheshi Shadërvan, Xhamia e Sinan Pashës, Kisha “Zoja e Ljevishës”, Kalaja e Prizrenit, Muzeu i Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe Muzeu Arkeologjik i vendosur në një hamam të periudhës osmane.

Artikulli ndalet edhe te gastronomia lokale, duke përmendur byrekun tradicional, pijen boza, si dhe baret e restorantet pranë Shadërvanit.

Vëmendje të veçantë “Euronews” i kushton edhe festivalit “Bunar Fest”, i cili organizohet në fund të muajit maj në lumin Lumbardh. Sipas artikullit, festivali përfshin gara me goma në lumë, aktivitete të shumta dhe performanca muzikore që zgjasin gjatë gjithë ditës dhe natës, duke e kthyer atë në një prej ngjarjeve më atraktive për vizitorët.

Po ashtu, mediumi ndërkombëtar jep edhe këshilla praktike për turistët që vizitojnë Kosovën, duke përmendur transportin, kulturën lokale dhe rëndësinë e festave fetare në jetën e përditshme të vendit.

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika