LAJME

EUROJUST: I arrestuari për falsifikim parash është punonjës i MPB-së maqedonase

EUROJUST: I arrestuari për falsifikim parash është punonjës i MPB-së maqedonase
TV Prizreni
TV Prizreni
6 Gusht 2024, 13:26

I arrestuari nga Policia e Kosovës më 4 gusht, nën dyshimin se është përfshirë në prodhimin dhe shpërndarjen e parave të falsifikuara, dyshohet se gjatë dy vjetëve të fundit ka prodhuar qindra mijëra monedha 2-euroshe, kanë njoftuar autoritetet e rendit të martën.

I dyshuari është shtetas i Maqedonisë së Veriut, ndërsa operacioni rezultoi i suksesshëm pas bashkëpunimit të autoriteteve të Kosovës dhe atyre maqedonase, mbështetur nga EUROPOL dhe EUROJUST.

Agjencia e Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale (EUROJUST) ka dhënë detaje rreth këtij rasti. Sipas kësaj agjencie, i arrestuari është punonjës i MPB-së maqedonase dhe dyshohet se ka prodhuar rreth 2 milionë monedha false 2-euroshe, të cilat do të qarkullonin në ekonominë kosovare.

“Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit janë sekuestruar makineri për prodhimin e valutës së falsifikuar, shabllone monedhash dhe lëndë të parë. I dyshuari ka qenë nën vëzhgim për një periudhë të gjatë”, thuhet në komunikatë./KOHA/

Klikoni KËTU për tu bërë pjesë e kanalit të TV Prizreni në Youtube.

Të tjera nga rubrika