Sipas rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës, për operacionet me paratë e gatshme e cila hyn në fuqi nga data 1 shkurt 2024, valuta e vetme e lejuar për kryerjen e pagesave në Kosovë është euro.
“Valuta e vetme e lejuar të përdoret për kryerjen e transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Republikën e Kosovës është euro, si valutë e vetme edhe në kuptim të Nenit 11 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe Neneve 16, 17 dhe 18 të Ligjit Nr. 03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës”- thuhet në rregulloren e re.
BQK ka sqaruar se “valutat e tjera jo euro në Kosovë mund të përdoren si vlera për ruajtje në formë fizike apo në llogaritë bankare në valuta jo euro, për kryerjen e pagesave ndërkombëtare në valuta jo euro dhe për aktivitetet e këmbimit valutor”.