Organizata ETEA ka reaguar, duke thënë se ka pasur kopjim masiv në Testin e Arritshmërisë që u mbajt në Kosovë më 28 maj.
Në Testin e Arritshmërisë morën pjesë rreth 2600 nxënës të klasave të 9-ta në 156 qendra të testimit në gjithë territorin e Kosovës.
“Në komunikimet më të thjeshta të stafit të organizatës ETEA me nxënësit/et që i janë nënshtruar këtij testi, kuptohet se format e mashtrimit janë evidente dhe kopjimi në këtë test ishte në përmasa masive. Janë 2200 administrues dhe 460 komisionerë të angazhuar për mbarëvajtjen e këtij testi, të cilët, sipas deklaratës së Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit – nuk kanë raportuar asnjë parregullsi. Por krejt tjetër çka, tregojnë fotot e bashkangjitura në këtë reagim. Për më tepër, sipas nxënësve me të cilët stafi i organizatës ETEA ka komunikuar, janë vetë administruesit/et e testit (jo të gjithë) të cilët mundësojnë kopjimin dhe i kontribuojnë kësaj ndërmarrjeje masive për mashtrim. Njëri/a nga nxënësit/et tregon se administruesi/ja ishte në dijeni për ekzistencën e grupeve online për kopjim, me ç’rast i udhëzon nxënësit/et që të mos shkruajnë në ato grupe për shkak të identifikimit potencial dhe të dalin nga grupet menjëherë pas përfundimit të testit. Kjo dëshmohet edhe me faktin se nxënësve iu është lejuar mbajtja e telefonave dhe përdorimi i tyre pasi komunikimi mes nxënësve në këto grupe vërehet së është bërë përgjatë kohës së zhvillimit të testit”, thuhet nga ETEA.








