Organizata ETEA ka publikuar sot më 05.07.2024 raportin analitik mbi Provimin e Maturës Shtetërore.
Sipas të dhënave nga ky raport kopjimi dhe manipulimi janë probleme sistematike, e nxitur nga toleranca dhe inkurajimi i administratorëve.
Agon Ahmeti, autor i këtij raporti, ka thënë se për shkak të rëndësisë që ka Provimi i Maturës Shtetërore tek nxënësit, atëherë kanë inicuar këtë raport hulumtues.
“Analiza synon të identifikoj lëshimet dhe sfidat ekzistuese në organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore”- u shpreh Ahmeti.
Ai shpjegoi se raporti është i ndarë në katër kapituj.
“Barazvlerësimi i notës mesatare, integriteti akademik dhe kopjimi, rëndësia e lëndës zgjedhore dhe mungesa e rezultateve të thelluara”- janë tema të cilat janë trajtuar, tha Ahmeti.
Bleona Kurteshi, autore e raportit analitik prezantoi rekomandimet e nxjerra mbi organizimin e Provimit të Maturës Shtetërore.
“Ne konsiderojmë se është shumë rëndësishme që të përfshihet teknologjia në procesin e mbikëqyrjes së Provimit të Maturës”- theksoi Kurteshi.
Sipas Kurteshit, Provimi i Maturës është mundësia më e mirë për MASHTI-n që të mbledh të dhëna analitike të cilat më pas mund t’i përdor për krijimin e politikave arsimore.
Sipas gjetjeve të raportit, një pjesë e administratorëve dhe studentëve mbikëqyrës lejuan kopjimin gjatë Provimit të Maturës Shtetërore 2024, shpeshherë me pretekstin e ndihmës ndaj maturantëve.
Në raport përmendet edhe Grupi “Maturantët 2024”, i cili është hapur në platformën Viber që numëron 7602 anëtarë, dhe që përfaqëson 42% të të gjithë maturantëve të vitit 2024.
Në vitin 2024, Provimit të Maturës Shtetërore ju nënshtruan afro 19 mijë maturantë, dhe kalueshmëria e tij ishte 73, 3%./KALLXO.Com