Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, zëvendësndihmës-sekretari Gabriel Escobar, ka thënë pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, se raportet aktualisht përballen me sfida shkaku i trajtimit të minoritetit serb nga Qeveria e Kosovës.
Ai ka thënë se shpreson që Qeveria e Kosovës të jetë fleksibile në diskutimet në dialog të martën, sa i përket rregullores së BQK-së. Escobar në prononcim për media ka thënë se vendimi i BQK-së ua ka vështirësi jetën qytetarëve serbë të Kosovës dhe se SHBA-ja është e shqetësuar.
“Duhet të pranojë se marrëdhëniet tona kanë disa sfida tash, e këto sfida janë për shkak të trajtimit të minoritetit serb në Kosovë. Është çështje emergjente humanitare që duhet adresuar menjëherë. Shpresoj që Qeveria është pajtuar të jetë fleksibile në këto diskutime në dialog të martën. Në ndërkohë e kam përgëzuar kryeministrin për vendimin që ka marrë për Deçanin. Ishte vendim i vështirë, por i duhur”, ka thënë Escobar.
Escobar ka thënë se do të largohet nga Kosova të premten. Ai ka thënë se ka dëgjuar rrëfimet e qytetarëve serbë të Kosovës, për sfidat me të cilat po përballen nga Rregullorja e re e BQK-së.





