Përzgjedhësi i Spanjës, Luis Enrique, ka thënë se ekipi i tij është mirëpritur në Kosovë dhe ka thënë se lojtarët kanë ardhur për të luajtur futboll e jo për t’u marrë me çështje politike.
Ai gjithashtu e ka vlerësuar Kosovën si një ekip shumë sulmues dhe ndeshjen e së mërkurës e ka vlerësuar shumë të vështirë.
“Përshëndetje të gjithëve, Pikë së pari dua të them se është atmosferë e mirë, njerëzit janë shumë të mirë, na kanë mirëpritur. Ne nuk kemi probleme këtu, pasi kemi ardhur të luajmë futboll dhe nuk merremi me çështje politike”, ka thënë Enrique. “Më pëlqen mënyra se si luan Kosova, është e ngjashme me ne, pasi mundohet të luajë në mënyrë sulmuese me topin në posedim. Dallon prej ekipeve tjera në grup, sepse sulmon dhe mbrohet mirë. Ne duhet të jemi të gatshëm, të përgatitur, sepse kjo do të jetë një ndeshje shumë e vështirë”.





