Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka bërë me dije se ky institucion është duke bërë përgatitjet për funksionalizimin e mekanizmit që votuesit në mënyrë online të mund të ndryshojnë qendrën e votimit.
Ai ka treguar se ky mekanizëm do të jetë gati për shfrytëzim në pjesën e dytë të shtatorit.
Elezi ka treguar edhe mënyrën se si do të behet kjo.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke bërë përgatitjet në mënyrë që në pjesën e dytë të muajit shtator të mund të funksionalizohet makina kërkuese, ku do të vendoset lista votuese e qytetarëve me të drejtë vote në vendin tonë. Çdo votues, vetëm duke shënuar numrin e tij të letërnjoftimit, do të mund të shoh të dhënat e tij, në këtë rast qendrën e tij të votimit. Nëse votuesi dëshiron që ta ndërrojë qendrën e votimit, do të mund ta parashtrojë këtë kërkesë në të njëjtën platformë, pra online, vetëm duke plotësuar të dhënat që kërkohen. Ndryshimi i qendrës së votimit do të mund të bëhet edhe duke paraqitur fizikisht kërkesën në Zyrat e KQZ-së në ndonjërën nga 38 komunat”, ka deklaruar Elezi për EO.