Dy persona të kërkuar me urdhërarreste ndërkombëtare janë ekstraduar në Kosovë, njëri nga Zvicra dhe tjetri nga Shqipëria, në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar policor.
Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ekstradimet janë realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.
Sipas njoftimit, i dyshuari i parë ishte arrestuar nga autoritetet zvicerane, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga institucionet e drejtësisë së Kosovës për veprën penale “Grabitje”. Ai dyshohet se i ishte shmangur drejtësisë.
“Ekstradimi u realizua bazuar në ligjet në fuqi dhe falë bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet institucioneve të Republikës së Kosovës dhe atyre të Zvicrës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Pas kthimit në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Gjilanit për procedurat e mëtejshme ligjore.
Ndërkaq, i dyshuari i dytë ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në pikën kufitare në Vërmicë. Ai kërkohej po ashtu përmes INTERPOL-it me letërreshtim ndërkombëtar të lëshuar nga autoritetet kosovare, për veprën penale “Arratisja nga institucioni”.
Sipas Policisë, ai kishte qenë i privuar ligjërisht nga liria dhe ishte dënuar për dhënie të ndihmës në një rast të “vrasjes së rëndë”, ndërsa më pas ishte arratisur.
Pas ekstradimit në Kosovë, i dyshuari iu dorëzua njësive policore në rajonin e Pejës, të cilat do të vazhdojnë procedurat e parapara ligjore. /Zëri